Select Page

Në vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës, Drejtori i AKE-së z.Jeton Akiku dhe Kryetari i Bordit të ARKEP z.Nazim Rahimi në frymën e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy institucioneve nënshkruajtën Memorandum Bashkëpunimi në mes të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën përkushtimin për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer, të cilin e kanë patur deri më tani, dhe u zotuan se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, do të vazhdojnë të përkrahin njëra tjetrën në fushat e interesit të përbashkët. Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim përcaktimin e modaliteteve, instrumenteve dhe mënyrave të bashkëpunimit në mes të palëve nënshkruese, me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve në fushat respektive që i rregullojnë të dy Institucionet. Përveç nënshkrimit të marrëveshjes u zhvilluan bisedime edhe në nivel të ekpertëve të të dyja vendeve, të cilët shkëmbyen përvojat e tyre në fushat specifike siç janë; zhvillimet rreth implementimit të rrjetave 5G; ecuria e implementimit të marrëveshjes së roamingut në vendet e Ballkanit Perëndimor; veprimet lidhur me procesin e adresimit të çështjes së produkteve nga prodhuesit e dyshimtë, dhe arritja e marrëveshjes së re teknike për koordinimin e frekuencave ndër-kufitare. Memorandumi i bashkëpunimit gjithashtu përcakton fushat e veprimit të përbashkët, të cilat do të përfshijnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave në fushën e rregullimit të tregut të komunikimeve elektronike dhe forma të ndryshme të trajnimit të përbashkët profesional, pjesëmarrjen në konferenca dhe simpoziume të ndryshme ndërkombëtare.