Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) ka filluar zyrtarisht ciklin e ri të zbatimit të CAF (Common Assessment Framework – Korniza e Përbashkët e Vlerësimit), duke riafirmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm për avancimin e cilësisë, efikasitetit dhe përsosmërisë institucionale.
Fillimi i ciklit të ri të CAF-it u shënua zyrtarisht më 4 shtator, në prani të drejtorit të AKE-së, z. Haliti, Ekipit për cilësi, si dhe përfaqësuesve dhe ekspertëve të përfshirë në proces.
Procesi realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Administratës Publike, Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) dhe ekspertëve të CAF-it, me qëllim të avancimit dhe fuqizimit të mëtejshëm të sistemit të menaxhimit të cilësisë në Agjenci.
Ky është cikli i dytë i zbatimit të CAF-it në AKE, që paraqet vazhdimësi të aktiviteteve të orientuara drejt vetëvlerësimit sistematik, identifikimit të mundësive për përmirësim dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve institucionale.
Zbatimi i CAF-it zhvillohet paralelisht me aplikimin e rregullt të standardeve ISO, si dhe me përmbushjen e detyrimeve ligjore që lidhen me sistemet e menaxhimit të cilësisë.
Me fillimin e ciklit të ri, AKE riafirmon përkushtimin e saj për përmirësimin e vazhdueshëm të punës, zhvillimin e praktikave bashkëkohore të menaxhimit dhe ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë, në interes të qytetarëve, përdoruesve dhe të gjitha palëve të interesuara.